Më 8 nëntor të vitit 63 pas K., një vit kyç për historinë e Romës, Konsulli Cicerone mbajti një fjalim të ashpër kundër Lucio Sergio Catilina. Po ju sjell një fragment dhe lidhjen me realitetin e sotëm po jua lë juve.

   “Quo usquem tandem (deri në çfarë pike) do të përfitosh tek durimi ynë? Për sa kohë akoma çmenduria juaj do të luajë me ne? Në çfarë limiti do të shkojë pakujdesia jote e shfrenuar? Nuk të ka shqetësuar shprehja e fytyrës së të pranishmëve? Nuk e sheh që plani yt u zbulua? Nuk e shikon se të gjithë e kanë marrë vesh komplotin tënd, apo kujton se ndonjë nga ne e injoron?
   Ne duhet të vazhdojmë të të durojmë ty, që dëshiron vetëm pushtetin e të prishësh gjithë botën.
   Shtetit nuk i mungojnë as inteligjenca, as qëndrueshmëria e rregullave. Asgjë nga ajo që bën, urdhëron, mendon nuk i shpëton veshëve të mi, aq më pak mendjes time e duhet të kuptosh që jam më i bindur unë duke vigjiluar mbi sigurinë e Shtetit se ti për shkatërrimin e tij.

   Senatorë, qëndrojnë këtu mes jush, në këtë asamble që është më e shenjta, më e rëndësishmja e vendit, individë që veprojnë kundër nesh e po i drejtohem kryetarit të tyre.
   Ke ndarë Italinë mes njerëzve të tu, ke vendosur vendet e çdonjërit, ke zgjedhur kush të Qeverisë e kush të jetë pas teje.

   Portat janë të hapura. Ik!

   Mer me vete edhe njerëzit e tu. Pastro qytetin! Do të ndihem më i lirë kur të jetë një mur midis nesh. Nuk mund të rrish këtu mes nesh! Nuk mund të duroj e të toleroj më. Sa herë më ke sulmuar, e kam pritur me forcat e mia. Por tani po sulmon hapur të gjithë Shtetin. Dëshiron ta çosh në shkatërrim Qeverinë e jetën e të gjithë qytetarëve, Italinë mbarë.

   Nëse ti, siç po them nga kohë, do të ikësh, qyteti do të lirohet nga bashkëpunëtorët e tu të lig e të shumtë, Haleja e Shtetit që merr pjesë tek komploti yt. Nuk po fol për jetën private. Do të ndalem më tepër tek faktet që kanë të bëjnë me interesat madhore të Shtetit. 
   Nuk përfundon asgjë, nuk përmbush asgjë, megjithatë nuk heq dorë të dëshirosh shkatërrimin e institucioneve.

Më thuaj: çfarë jete është ajo e jotja? 

   Të flas i shtyrë jo nga urrejtja, por nga dhembshuria, të cilës nuk je i denjë. Erdhe në Senat, por në mes shumë miqve dhe njohurve, kush të përshëndeti? Çfarë të them më shumë? Kur erdhe ti kjo sallë u zbraz. Sa zure vend, të tjerët u larguan, shkretëtirë u bë ky sektor i bankove. Atëherë, si do mund ta durosh këtë?

   Nëse do të shikoja se, edhe pse pa të drejtë, do të isha i dyshuar si fajtor apo i përçmuar nga qytetarët e mi, do të dëshiroja të fshihesha nga sytë e tyre, se sa të isha objekt i shikimeve qortuese. Ndërsa ti, që je i vetëdijshëm i lojrave të tua dhe e di mirë që urrejtja e të gjithëve është e drejtë dhe e merituar, nuk i fshihesh shikimit të tyre, paraqitjes përballë atyre që i ke vrarë në zemër dhe në mendje.

   Nëse prindët e tu, të kishin frikë nga ti dhe të urrenin, nëse ti nuk do të kishe asnjë mundësi për të bërë paqe me ta, imagjinoj se do të zhdukeshe. Tani të urren dhe ka frikë nga ti i gjithë mëmëdheu, nëna e përbashkët e të gjithëve ne, e nga shumë kohë mendon se ti nuk dëshiron tjetër veçse vdekjen e saj.

Atdheu të paraqit llogarinë pa shumë fjalë.

   Ke gënjyer për shumë vjet duke mohuar një ditë pas atë që kishe pohuar një ditë më parë. Janë të shkuara, është e vërtetë, e megjithëse nuk ishin të tolerueshme, i kemi përtypur si kemi mundur. Ama tani, durimi ka marrë fund! Prandaj ik dhe liro shtetin nga frika! Nuk e sheh heshtjen e të pranishmëve? Përse pret konfirmimin e fjalës, kur shihet qartë domethënia e heshtjes së tyre?
   Por për çfarë duhen fjalët? Që të thyhesh, në një farë mënyre? Nuk e besoj. Nuk është rasti të të kërkojmë që të provosh keqardhje për maninë tënde të shfrenuar dhe absurde për pushtetin, për veprimet e tua megjithëse Shteti është në vështirësi. Në fakt nuk je tipi që përmbahet nga çmenduria për arsyen.

   Megjtihatë ka disa, këtu në Senat, që nuk e perceptojnë ortekun që po na përfshin ose bëjnë sikur nuk e shikojnë atë që kanë para syve. Janë ata që kanë ushqyer me vetëdije etjen tënde për pushtet dhe kanë mbështetur formimin e një komploti.

Atëherë them, të ikin fajtorët!
Të ndahen nga të drejtët!

Marcus Tullius Cicero
In L. Catilinam orationes
Oratio in Catilinam Prima in Senatu Habita