Sa popull i lashtë jemi?

Sa herë që debatojmë mbi lashtësinë e popullit tonë sjellim prova nga më të shumtat. Harta antike, zbulime arkeologjike, libra të shkruar nga studiues të ndryshëm etj.
Por nga njëherë provat janë shumë më pranë nga çmendojmë. I kemi para syve, ose më mirë i përdorim gjithmonë. Është vetë gjuha që folim.

Ndoshta nuk na bëjnë përshtypje, sepse na duket kaq të natyrshme.
Nuk na duken të veçanta sepse kështu i kemi përdorur qëmoti. Edhe pse kemi relativisht pak kohë që e shkruajmë, me gjuhën e folur mund të shkojmë shumë prapa në kohë. Me mijëra vjet.

Në ç’mënyrë i kemi quajtur gjërat që na rrethojnë është ajo që na çon shumë prapa në kohë. Të shohim dy anët e horizontit. Lindje, Perëndim. Të marrim fjalën Lindje.

Përse e quajmë “Lindje”?

Përse i themi “lindje” në kuptimin e veprimit ashtu si lind fëmija nga barku i nënës? Përse i kemi dhënë pikërisht këtë karakteristikë? Është me të vërtetë e habitshme. Nuk kam dëgjuar asnjë vend ta quajë në këtë mënyrë. Pse kemi përdorur këtë formë për ta përshkruar këtë anë të horizontit?

Ku mund të kërkojmë, për të bërë një ballafaqim me të shkuarën?

Përgjigjen e gjejmë tek hieroglifet e lashta egjyptiane. Ajo që shohim në foton e mësipërme është perëndia “Nut” që lind diellin çdo mëngjes pikërisht nga barku i saj dhe çdo mbrëmje e gëlltit.

A nuk ju duket se, nuk është thjesht vetëm një rastësi?

Perëndia “Nut” përfaqëson kupën qiellore. Zakonisht paraqitet me një grua të zhveshur, e të mbuluar me yje. Trupi është i përkulur në formën e një harku, ku këmbët dhe duart prekin tokën.

Lëkura e saj zakonisht paraqitet me ngjyrën blu, sepse kjo ngjyrë simbolizon jetën dhe ringjalljen. Pozicioni në formë të harkuar tregon fuqinë e saj mbi objektet qiellore.

Kur ajo paraqitet me ngjyrën e verdhë tregon përjetësinë e simbolizon perëndinë Nënë, aty ku është origjina e çdo gjëje.

Dikush edhe mund të dyshojë. Me plot të drejtë. Mund të thotë që është vetëm një rastësi. Që mund të jetë një nga budallallëqet pa baza, me të cilat është mbushur plot interneti.

Por, nuk mbaron me kaq.

Po ju sjell një pjesë nga përkthimi që egjyptologu gjerman Adriaan de Buck (1892-1959) i bën hieroglifeve të gjetura në sarkofagun e Seti I në Abydos (El-Balyana).

Përkthimi i pjesës së fillimit (3 kollona të hieroglifeve) reciton:
“Udhëtojnë këto yje drejt kufijve të qiellit, brenda anës së pasme të saj (perëndisë Nut) përgjatë natës.  Udhëtojnë brenda trupit të saj. Gjatë ditës nuk duken se janë të padukshëm.  Spostohen ato prapa kësaj perëndie (Ra) e udhëtojnë ato pas saj mbi mbajtëset (“Sthesu”) të “Shu”.  Qëndron (ajo) mbi “Demia-un”.  Qëndron madhështia (e kësaj perëndie) në horizontin e perëndimit. Udhëtojnë ato brenda gojës së saj, brenda kokës së saj që është në perëndim dhe ajo i gëlltit….”.

Pra, perëndia gjendet në horizontin e perëndimit, dhe nuk është një lojë fjalësh. Sepse Perëndi-m do të thotë pikërisht “atje ku gjendet perëndia” ose zoti, mund ta quani si të doni.

Ja pra, edha fjala Perëndim, paska një origjinë të largët. Por për çudi, lidhet drejt për drejt me origjinën e fjalës Lindje.

Mos vallë edhe kjo është një rastësi?

Kemi tre të dhëna: 1)e njëjta vendosje kohore, 2) të njëjtat hieroglife, 3) e njëjta “legjendë”. Legjenda e perëndisë “Nut”.
Thoshte Agata Christie: “një e dhënë është një e dhënë, dy të dhëna janë një rastësi, tre të dhëna janë një provë”.

Mijëra vjet më parë, ishte një kohë kur perëndia (ose Zoti) nuk ishte ashtu si e mendojmë ne në epokën ku jetojmë: “diçka abstrakte, shpirtërore, i kudondodhur, i plotfuqishëm, mbi gjithçka”.

Dikur perëndia, ose më saktë perënditë  sepse ishin shumë individë, ishin të dukshëm, të gjallë, me mish e me kocka. E qëndronin mes njerëzve.

Por kjo është një histori tjetër. E vërteta është, që asokohe, ne ishim.