Si ndryshuan rrjedhën e historisë botërore taktikat e luftës Skënderbeut.

Në këtë fragment nga filmi “The Alamo”, gjenerali Sam Houston, i interpretuar nga aktori i njohur Dennis Quaid, përshkruan taktikën që donte të përdorte për të mposhtur gjeneralin meksikan Santa Anna. Taktikë që ishte përdorur nga gjenerali anglez Wellington kundër Napoleonit në betejën e Waterloo-së.

Kjo do të dilte një ide shumë e mirë, sepse në betejën që u zhvillua në San Jacinto 21 prill 1836, trupat amerikane edhe pse më të pakta në numër (vetëm 783 kundrejt 1600 trupave meksikane) e me më pak armatime, fituan betejën me një sulm të befasishëm. E gjithë beteja zgjati vetëm 18 minuta, ku u zu rob vetë gjenerali Santa Anna.

 

Po, para se kjo ide të përdorej nga këto gjeneralë, a ishte përdorur tjetërkund?
Përgjigja është, Po!
Kjo taktikë është përdorur për herë të parë nga heroi ynë kombëtar Skënderbeu në betejën e Albulenës (Ujëbardhës).

Në pranverën e vitit 1457 sulltan Mehmeti II dërgoi drejt Shqipërisë një ushtri prej më shumë se 50 000 vetash të drejtuar nga Isa Bej Evernozi dhe nga Hamza Kastrioti, nipi i Skënderbeut që e kishte tradhëtuar. Duke qenë se Hamzai i njihte shumë mirë taktikat e tij, Skënderbeu vendosi që të ndryshonte strategji.​

Nëse të pëlqen historia e Skënderbeut kliko këtu

I la osmanët të hynin brenda territoreve shqiptare pa hasur në ndonjë rezistencë të madhe. Pasuan disa përleshje të vogla, pas të cilave Skënderbeu e tërhoqi ushtrinë prej rreth 18 000 ushtarësh (12 000 shqiptarë dhe 6 000 nga aleatët dhe Papa) dhe e ndau në pjesë. Ashtu siç thotë dhe Sam Houston (Dennis Quaid), lëviz dhe prit…lëviz dhe prit.

Të lirë osmanët plaçkitnin, mblidhnin informacione dhe nuk hasnin në rezistenca të forta. Pas disa javësh dhe asnjë shenjë nga Skënderbeu, Hamzai dhe Evrenozi ishin të bindur se ai kishte humbur besimin e ushtrisë së tij e cila kishte dezertuar, dhe se ai ishte strehuar në Shkodër dhe po përpiqej të kalonte në zonën e Venedikut.

Në fakt, më 21 korrik Marco Diedo, governatori venecian i Durrësit i shkruante senatit të Venedikut se “Madhështori Skënderbe i tradhtuar nga të gjithë po përpiqet të fshihet në malet e larta të Shqipërisë, përderisa osmanët sundojnë në Shqipëri”. Mbas tre muajsh që kishin kaluar kufirin në ndjekje të Skënderbeut, të bindur në fitoren e tyre osmanët vendosen në Ujëbardhë, në fushën e Matit që ndodhet në veriperëndim të Krujës dhe në jug të Lezhës kështu që, të dy qytetet mund të mbaheshin nën vrojtim. Në fund të gushtit vigjilenca e tyre kishte rënë ndjeshëm. Vetëm Hamzai mendonte se Skënderbeu po pëgatiste diçka që nuk ishte tentuar më parë.

Si u zhvillua beteja

Me 2 shtator Skënderbeu me fshehtësi mblodhi ushtrinë dhe e vendosi në malin Tumenisht dhe malet përreth luginës së Ujëbardhës. Mbasdite, trupat osmane u zgjuan nga gjumi i mesditës duke e gjetur armikun në kamp. Shqipëtarët u sulën si ortek dhe me një zhurmë të tmerrshme, të shkaktuar nga mijëra mjete metalike iu lanë përshtypjen se ishin përballë një ushtrie më të madhe. Asnjë nuk tentoi të bëjë rezistencë.

Brenda dy orëve kampi osman ishte i tëri në duart e shqiptarëve, ndërsa pjesa e mbetur e ushtrisë së shpartalluar osmane u arratis. Humbjet nga ana e osmanëve duhet të kenë qenë mbi 20 000 vetë (shqiptarët e kishin akoma të freskët në mendje masakrën e Beratit). Këtij numri duhet t’i shtohen edhe ata që u zunë robër, në mes të cilëve dhe vetë Hamzain, ndërsa tërë plaçka e kampit ra në duart e shqiptarëve. Ata që mundën të arratiseshin u masakruan rrugës së kthimit nga malësorët.

Kjo është beteja e Albulenës (Ujëbardhës), dhe më thoni “ a nuk mendoni dhe ju se ngjajnë si dy pika uji?”

Ndoshta Sam Houston ka lexuar për gjeneralin Wellington, por nuk është e vërtetuar me fakte që Wellingtoni është frymëzuar nga Skënderbeu, edhe pse një gjë duhet ta përmendim. Ai gjatë jetës studentore ndërmori një studim autodidakt shumë rigoroz mbi artin e luftës, që nuk studiohej sa duhej në akademinë ushtarake britanike të asaj kohe. Me siguri ka studiuar dhe taktikat e luftës të heroit tonë.

Sido që të jetë, e vërteta është se këto beteja kanë ndryshuar rrjedhën e historisë. Mendoni për një çast nëse Skënderbeu do ta humbte atë betejë, ose më keq, po sikur të vendoste të mos kthehej në Shqipëri e të rrinte e ti shërbente sulltanit?