Në perëndim të shtetit australian të Tazmanisë, në një pllajë graniti të rrethuar me male, gjëndet një kuti gjigande çeliku, që të kujton monolitin e zi tek filmi i Stanley Kubrick: “2001: Odisea në hapësirë”. Është, “Earth Black Box“, kutia e zezë e Tokës, si ajo që përdoret tek avionët për të përcaktuar shkaqet e incidenteve.

Çfarë është dhe si funksionon?

    Projekti Earth’s Black Box, është një ide e Clemenger BBDO, kompania më e madhe e komunikacioneve australiane. Një projekt NO profit, dhe është mundësuar për të sensibilizuar njerëzit mbi temën e krizës klimatike. Jim Curtis, drejtori ekzekutiv i kompanisë, ka deklaruar se kjo nismë ka patur një jehonë të madhe për vetë faktin se i ka bërë njerëzit t’i bëjnë pyetjen vetes: “Përse Toka ka nevojë për një kuti të zezë?”. 
    Mbështetja që i ka dhënë Universiteti i Tazmanisë i ka dhënë këtij projekti një vlerë shkencore. Kutia e zezë e Tokës, funksionon si aparati që i ka dhënë emrin: regjistron një numër shumë të madh të dhënash, që ngelen të padëmtuara në rast katastrofe.

Cilat janë përmasat e saj?

    Kutia është prej çeliku. Përmasat e saj janë 10 metra x 4 x 3 metra. Panelet janë të trasha 7,5 centimetra. Ajo është në ndërtim e sipër e parashikohet të jetë gati në fund të këtij viti. Megjithatë ajo ka regjistruar rezultatet dhe studimet e paraqitura në mbledhjen mbi klimën COP26 të mbajtur në nëntor të vitit 2021 në Glasgow, Skoci.
    Panelet diellore dhe bateritë ndihmëse e lejojnë të regjistrojë nëpërmjet një algoritmi të posaçëm, informacionet më të rëndësishme. Fillimisht do të regjistrohen dy lloj të dhënash. Nga një anë matjet e temperaturës së Tokës dhe deteve, acidifikimin e oqeaneve, ndotjen atmosferike, zhdukjen e florës dhe faunës etj…
   Por edhe të dhënat e faktorit human: numri i popullsisë, shpenzimet ushtarake, konsumi energjetik etj… Do të ruhen artikuj të rëndësishëm gazetarie, postime nga rrjetet sociale dhe të dhëna nga mitingje të rëndësishme që i përkasin ndryshimeve klimaterike.

Sa mund të rezistojë?

    Sistemi do të ruajë këto të dhëna për qindra e ndoshta për mijëra vjet. Disa studiues po bëjnë pyetjen se si qytetërimet e ardhshme do t’i deshifrojnë e do të shfrytëzojnë të dhënat që përmban kutia e zezë e Tokës. Po zhvillohen disa teknologji për ta zgjidhur këtë problem. U përzgjodh pikërisht ky vend për të vendosur këtë kuti sepse ka stabilitet gjeologjik.