Shumë prej atyre që para viteve ’90 ishin fëmijë, u ka rastisur që prindërit t’u thonin “çohu e ndërroje pak kanalin e televizorit”. Dhe ne u çonim, jo me shumë qejf, duke shtypur butonat e televizorëve bardhë e zi të tipit Lura etj.. Ishim telekomanda e atyre viteve. Pas viteve ’90 blemë televizorët me ngjyra të pajisur me telekomandën përkatëse.

Por, kur u shpik telekomanda?   Nga kush?

←Kliko këtu në krah për të parë se si ka ndryshuar telekomanda në vite

Një pjesë e madhe e njerëzve mendojnë se telekomanda është një shpikje e viteve ’80 apo ’90. Mirëpo nuk është kështu. Ajo e ka zanafillën shumë më herët.

Historia e telekomandës së televizorit fillon rreth viteve ’50. Telekomanda e parë ishte me fije që e lidhnin me aparatin e televizorit. Kjo teknologji ishte e zhvilluar nga kompania amerikane Zenith Radio Corporation. Po e njëjta kompani, rreth viteve 1955 zhvilloi Flashmatic, një telekomandë pa fije që funksiononte në këtë mënyrë: aparati i telekomandës lëshonte një rreze drite e cila kapej nga fotocelula e televizorit. Por kjo teknologji kishte një të metë jo të vogël: rrezja direkte e diellit mund të aktivizonte fotocelulën e të ndryshonte kanalet e televizorit apo të lëvizte volumin papritur.

Telekomanda me Ultratinguj 

Në vitin 1955 u bë një hap shumë i rëndësishëm. Robert Adler, një inxhenier po i kompanisë Zenith, realizoi një telekomandë që punonte me ultratinguj. Ky aparat ishte në gjendje të rregullonte volumin e zërit dhe të ndërronte kanalet e televizorit. Quhej Zenith Space Command.

Ky aparat funksiononte në mënyrë sa të thjeshtë aq dhe gjeniale. Kur shtypej butoni, një çekiç i vogël godiste mbi një shufër alumini. Në këtë mënyrë prodhohej një tingull me frekuencë të lartë që kapej nga valvolat marrëse të televizorit. Kjo shpikje rezultoi shumë e dobishme. Duke u nisur nga viti 1958, kur u nis shitja në shkallë të gjërë, konsumatorët blenë mbi 30 mijë televizorë të rinj. E nuk u preokupuan aspak që çmimi i televizorëve, për shkak të telekomandës, ishte rritur me  mbi 30 për qind.

Robert Adler dhe menaxheri i Zenith që punonte me të, morën disa çmime të rëndësishme në lidhje me këtë shpikje. Telekomandat e para kishin vetëm dy, tre, apo katër butona me funksione të thjeshta: ndezjen apo fikjen e televizorit, kalimin nga një kanal në tjetrin dhe rregullimin e volumit. Telekomandat me ultratinguj u përdorën për më shumë se 25 vjet.

Më pas ato u zëvendësuan nga telekomandat me infra të kuqe, që përdorim edhe sot, në gjendje t’i transmetojnë televizorit funksione më të ndërlikuara.