ZËRI QË FOLIM NDRYSHON NGA AI QË DËGJOJMË

Të gjithë kemi dëgjuar regjistrimin e zërit tonë të paktën një herë në jetë, përshembull kur çojmë një mesazh zanor në WhatsApp. Dhe përshtypja gati gjithmonë, nuk është e pëlqyeshme.
Tingulli është ndryshe, sikur nuk na përket, dhe në më të shumtën e rasteve nuk na pëlqen: shumë i thellë, shumë i hollë, shumë fëminor ose sikur folim me hundë etj.. etj..

Përse ndodh e gjitha kjo?

Dëgjojmë zërin tonë në mënyrë të ndryshme nga sa e perceptojnë të tjerët sepse zëri që dëgjojnë të tjerët përshkon vetëm ajrin, para se të arrijë në veshin e dëgjuesit.
Tingujt që prodhojmë ne, në të kundërt, përveç se përshkojnë ajrin, kumbojnë në trupin tonë, domethënë transmetohen edhe nëpërmjet kockave  dhe mishit, nga laringu deri te organi shqisor i veshit, që quhet koklea, ose si njihet në shprehjen popullore “kërmilli i veshit“.

Si mund të shpjegohet kjo?
Në thelb janë dy arsye.

Ana FIZIKE. Valët zanore ndërrojnë frekuencë kur përshkojnë ajrin ose një trup të ngurtë, dhe kështu zëri na tingëllon ndryshe.
Përveç kësaj një regjistrator e ndryshon zërin edhe pse në një mënyrë minimale.
Gjatë regjistrimit në fakt, zëri “përkthehet” nga valë zanore mekaniko-elektrike (domethënë vibrazione) në valë elektromagnetike (domethënë sinjale elektrike), ndërsa për dëgjimin ndodh procesi i kundërt.
Kështu që zëri i cili del nga këto “pasazhe” nuk është kurrë identik me origjinalin.

Ana PSIKOLOGJIKE. Përveç se na tingullon ndryshe, me shumë mundësi që zëri i regjistruar nuk na pëlqen.
Kjo ndodh sepse të vënë para këtij “ballafaqimi“, e ndjejmë zërin tonë si të huaj, jo familjar. Është njësoj sikur shohim fotografitë tona dhe për një çast i vështrojmë nga jashtë. Jemi mësuar ta shohim trupin në pasqyrë , nga një distancë e afërt, me difektet dhe asimetrinë e tij. Në të njëjtën mënyrë, të dëgjuarit e zërit nga një regjistrator, kaq ndryshëm nga sa jemi mësuar ta perceptojmë, na duket i huaj e sikur na vë në siklet.

Nuk është një ndjenjë që e kemi vetëm ne. Edhe shumë këngëtarë e vuajnë këtë ndjenjë.
Këngëtari italian i grupit Negramaro në një intervistë ka deklaruar se në fillim të karrierës së tij:

nuk e njihja zërin tim kur e dëgjoja, gati e urreja.
Me kalimin e kohës jam mësuar“.