Manteli që të bën të padukshëm

Kompania kanadeze Hyperstealth Biotechnology ka patentuar teknologjinë e një materiali që i bën personat dhe objektet të padukshëm për syrin e njeriut.

Materiali, i quajtur Quantum Stealth, aktualisht akoma në fazën e një prototipi, është zhvilluar nga administratori i saj
Guy Cramer kryesisht për qëllime ushtarake, për të fshehur agjentët dhe pajisjet ushtarake, deri tek mjetet e lëvizshme si tanket.

Ky material jo vetëm i bën objektet të padukshëm ndaj syrit të njeriut, por i fsheh edhe nga aparaturat me rreze infra
të kuqe apo me rreze ultraviolet.

Ndryshe nga meterialet e tjera tradicionale të mimetizimit, që përdoren vetëm në kushte specifike si pyje ose shkretëtirë, sipas Cramerit ky “mantel i padukshëm” mund të përdoret në të gjitha kushtet, ambientet ose stinët, dhe në çdo orë të ditës.

E gjitha kjo bëhet e mundur nëpërmjet një “lente lentikolare“, ose më thjeshtë një fletë e valëzuar në të cilën çdo majë
është e përbërë nga një lente e mysët. Duke vendosur shumë shtresa me “lente lentikolare” në mënyrën e duhur, bëhet e
mundur reflektimi i dritës në një mori këndesh të ndryshme për të krijuar “pika të vdekura”.

Drita nuk ka mundësi të kalojë ndërmjet këtyre pikave, duke e fshehur kështu subjektin nga shikimi ndërsa sfondi qëndron i pandryshuar. Cramer konfirmon që ky material mund të përdoret jo vetëm në aspektin ushtarak.

Falë superfaqes së tij pasqyruese ky lloj materiali është në gjendje të triplikojë prodhimin e energjisë së paneleve diellore.

Kompania ka pohuar se materiali në fjalë është akoma në fazën fillestare, por aplikimi i tij për prodhimin në masë do
fillojë në harkun e disa viteve.