Si ndryshon njeriu kur bëhet me Pushtet

 

    Në studimet mbi sjelljen që kam ndërmarrë në 20 vitet e fundit, kam zbuluar një skemë të frikshme: ndërsa personat zakonisht e marrin pushtetin nëpërmjet aksioneve që bëjnë të hecin përpara interesat e të tjerëve si bashkëpunimi, hapja ndaj të tjerëve, korrektësia, empatia dhe përbashkësia; kur fillojnë të ndihen të pushtetshëm ose zotërojnë një pozicion të privilegjuar, këto kualitete fillojnë e zbehen deri sa humbin.
Ata që kanë pushtet kanë një probabilitet shumë më të madh se personat e tjerë që të sillen në mënyrë të paedukatë, egoiste dhe jo etike.

    Përcaktoj këtë fenomen si “paradoksin e pushtetit” dhe e kam studiuar në shumë kontekste: shkolla, senati i Shteteve të Bashkuara, skuadra sportive profesioniste dhe në një shumëllojshmëri vendesh punë. Në çdo person që kam vëzhguar, kam parë që ata bëjnë karrierë mbi bazën e kualiteteve të tyre më të mira, por sjellja e tyre ndryshon gjithmonë përgjatë marrjes së pushtetit. Ky ndryshim mund të jetë ndonjëherë në mënyrë çuditërisht të shpejtë.
Në një nga eksperimentet e mia, i njohur si studimi “përbindëshi i biskotave”, kam marrë disa persona në një laborator dhe i kam ndarë në grupe nga tre, duke i dhënë rastësisht pozicione komanduese dhe më pas duke i dhënë një detyrë me shkrim për të gjithë grupin bashkërisht. Mbas gjysëm ore pune, i vura para në tavolinë një pjatë me biskota, një për çdo pjesëtar të grupit, plus një biskotë më shumë. Në të gjithë grupet çdo person mori nga një dhe, për mirësjellje e lanë në pjatë biskotën tepër. Në linjë me parashikimet e mia, personi i emëruar “leader” merrte gjithmonë biskotën tepër. Madje, ai që ishte “leader” kishte mundësitë më të mëdha të hante me gojën hapur, duke bërë zhurmë dhe duke mos patur kujdes për thërrmijat që i binin tek rrobat që kishte veshur.

Studimet dëshmojnë që edhe pasuria mund të ketë efekt të njëjtë. Në një eksperiment kam zbuluar se, ndërsa drejtuesit e makinave jo shumë të shtrenjta u japin gjithmonë përparësi këmbësorëve tek kalojnë vizat e bardha, më shumë se gjysma e personave që janë drejtues të makinave lluksoze si BMW apo Mercedes e injorojnë këmbësorin, domethënë ligjin.

Dhe akoma: një studim mbi nëpunës të 27 vendeve të ndryshme ka nxjerrë në pah se individët që kanë mirëqënie thonë se është e pranueshme të kesh sjellje etike, si për shembull, të marrësh ryshfete apo të mos paguash taksat. Kërkime të kohëve të fundit kanë treguar se administratorët  me MBA (Master in Business Administration) kanë probabilitet më të madh se ato pa MBA të kenë sjellje egoiste që i shton kënaqësinë personale por u ul vlerën kompanive ku punojnë.

Madje personat që kanë pozicione me pushtet kanë një probabilitet 3 herë më të madh kundrejt atyre me pozicione më të ulëta të ndërpresin kolegët, të zhvillojnë disa aktivitete gjatë mbledhjeve, të ngrejnë zërin dhe të thonë epitete ofenduese në zyrë.

Pasojat e gjithë këtyre sjelljeve mund të jenë shumë të mëdha. Abuzimi me pushtetin në fund të fundit ul reputacionin e vetë drejtuesve, duke minuar influencën e tyre. Madje krijon stres dhe frikë te kolegët e tyre, duke ulur kështu jo vetëm unitetin dhe krijimtarinë e grupit, por edhe bashkëpunimin e performancën individuale.
Në një sondazh të bërë në mbi 800 menaxherë dhe nëpunës në 17 sektorë të ndryshëm, rreth gjysma e atyre që ka deklaruar se është keqtrajtuar në vendin e punës, ka treguar se kanë ulur vullnetarisht ritmin e punës ose kanë ulur kualitetin e punës së tyre.

Dacher Keltner,  Profesor i Psikologjisë,
Universiteti i Kalifornisë