Ndërtimi i bunkerëve dhe vendstrehimeve antiatomike në Zvicër, filloi nga vitet 60′, një kohë kjo e karakterizuar nga spektri i rrezikut atomik dhe nga frika e një invazioni sovjetik.  “Neutraliteti nuk të shpëton nga radioaktiviteti“, ishte sllogani i kohës. Ligji i parë në këtë drejtim daton më 4 tetor 1963. 

    Të gjitha banesat e reja që ndërtohen janë të detyruara të ndërtojnë  edhe vendstrehimin e tyre.  “Çdo qytetar duhet të disponojë një vend të mbrojtur, ku mund ta arrijë në një kohë të shpejtë nga vendbanimi i tij” dhe “pronarët e vendbanimeve duhet të realizojnë dhe t’i paisin vendstrehimet, në të gjitha banesat e reja”, shkruhet në artikujt  45 dhe 46 të Ligjit Federal mbi mbrojtjen e popullsisë civile.

    Sa është kapaciteti i tyre?

    Në 2006, Zvicra numëronte mbi 300 000 vendstrehime në banesa, institucione dhe spitale, plus 5100 vendstrehime publike, për një total prej 8,6 milionë persona të mbrojtur. Pa llogaritur këtu mbi 8000 bunkerë ushtarakë të mimetizuar me mjeshtëri në ambjentin përreth.
    Ndërtimet e këtyre bunkerëve e vendstrehimeve, arritën kulmin në vitet 70′ ku realizoheshin mesatarisht vende të mbrojtura për 300 000- 400 000 persona në vit. Këto struktura arrinin të kishin përmasat e një qyteti të vogël.

 

Kishin makineri për të filtruar ajrin, çisterna uji gjigande dhe gjeneratorë të fuqishëm për furnizimin me energji elektrike. Për t’u përmendur është galeria Sonnenberg, ku mund të strehoheshin rreth 20 000 persona. Në katin e shtatë të tunelit gjendeshin një spital, një studio radiofonike dhe një qendër koordinuese komamndimi.

Përdorimi në ditët e sotme

    Me fundin e luftës së ftohtë, situata ka ndryshuar rrënjësisht. Ushtria e Zvicrës është shprehur se këto struktura nuk u përgjigjen më rreziqeve që vendi mund të përballet në kohët e sotme dhe në të ardhmen. Shumë nga këto bunkerë janë vënë në shitje, e për habi ka patur një interesim të madh.

Kush është i interesuar për këto bunkerë?

    Ata që i kanë blerë këto struktura, i kanë përdorur  për nevojat nga më të ndryshmet. Institutet e mëdha bankare kanë gjetur në to vendin ideal për të vendosur lingotat e arit dhe sendet me vlerë që depozitohen në bankat Zviceriane nga e gjithë bota.

Disa janë transformuar në hotele me të gjitha komoditetet e presin e përcjellin turistë të të gjitha moshave. Në afërsi të komunës së Andermatt, një bunker po kthehet në një sallë koncertesh. Së fundmi këto struktura po shërbejnë në strehimin e shumë refugjatëve që kohët e fundit kanë hyrë në Zvicër. Autoritetet i vendosin aty pas indetifikimit, në pritje të përgjigjes së kërkesës për azil.