Kush u përgatit e para, Birra apo Buka?
Një “team” i Stanford University ka gjetur provën më të lashtë të prodhimit të birrës nga ana e një populli prehistorik, me shumë gjasa para kultivimit në masë të drithërave. Kështu shija e birrës mund ti ketë dhënë një shtytje dhe bujqësisë.
Na ishte një herë Birra. Dhe vetëm më pas u kultivuan drithërat për prodhimin e bukës. Kjo është hipoteza e një skuadre ndërkombëtare kërkimi, e udhëhequr nga Stanford University, që ka zbuluar gjurmën e parë të përgatitjes së birrës, rreth 13.000 mijë vjet më parë. Disa kohë më parë se të zhvillohej bujqësia e lidhur me grurin dhe drithërat e tjerë. Rezultatet janë publikuar tek Journal of Archaeological Science: Reports.
Skuadra e kërkuesve, e drejtuar nga Li Liu, docente e arkeologjisë kineze të Stanford, ka analizuar disa gjetje në Raqefet Kave afër Kaifës në Izrael.
Kjo zonë është e njohur si një vend varresh të lashtë popujsh gjysëm-nomadë, që merreshin me gjueti dhe mblidhnin barishte, të quajtur Natufianë. Ky sit arkeologjik i përket periudhës nga 11.700 deri 13.700 vjet më parë.
Në këtë sit që përmban rreth 30 individë, studiuesit kanë gjetur vegla të vogla, si paisje të bëra me gurë stralli, kupa guri e 100 shtypëse guri, e shumë kocka kafshësh, siç shpjegon Dani Nadel i Universitetit të Kaifës që është bashkëautor i studimeve. Nadel nënvijëzon se gjendja e mirë e këtyre skeletëve ka lejuar të datohen dhe ti atribuohen me anë të Adn-së, Natufianëve. Studimi i tyre ka sjellë provën e konsumimit të alkolit dhe të prodhimit të birrës.
Nga analizat e zhvilluara, studiuesit kanë dalluar mbetje të nishestesë dhe pjesë mikroskopike vegjetale, të quajtura fitofilë, që janë të pranishëm në organizëm kur transformohet gruri ose elbi në birrë.
Sipas autorëve, procesi i prodhimit ishte i përbërë nga tre faza: transformimi i këtyre drithërave në një lloj brumi që shtypej, pastaj ngrohej, dhe në fund lihej të fermentohej me majan. Nga analizat e bëra në Rafeqet, ka dalë se Natufianët përdornin të paktën shtatë lloj lulesh, ndër të cilat elbin, grurin, tëshërën dhe groshët, dhe pasi e përgatisnin tek shtypësi, servirej në banketet e ritualeve.
“Flitet për verifikimin më të lashtë të prodhimit të alkolit nga njeriu në të gjithë botën“, nënvijëzon Liu. “Ky zbulim tregon se alkoli nuk ishte rezultat i një surplusi i prodhimit agrar, por birra u zhvillua, në fakt, për arsye të lidhura me rituale dhe nevoja shpirtërore“.
Ajo që çudit, sipas studiuesve, është se ky prodhim mund të jetë më i hershëm se vetë bujqësia dhe përhapja e drithërave të kultivuar. Studiuesja na kujton se gjurmët bukës së parë në histori janë gjetur në një sit në Jordani, edhe ky i lidhur me Natufianët, e janë akoma për tu datuar.
Brenda kësaj dritareje kohore, pra, birra mund të jetë prodhuar para ose në të njëjtën kohë me bukën e parë të botës. Megjithatë, para se kultivimet e grurit dhe e drithërave të tjerë të zhvilloheshin gjërësisht në rajon, do të duheshin edhe shumë kohë.
Sipas autorëve , shija e birrës dhe zakoni për ta konsumuar gjatë ritualeve dhe festave mund ti ketë dhënë hov zhvillimit të kultivimeve të këtyre drithërave, të nevojshëm për ta prodhuar. Kështu pija alkolike më e vjetër në botë mund të ketë ardhur para bukës.
Por nuk është e gjitha. Rezultatet e sotme hedhin dritë mbi aspektet sociale dhe kulturore të këtyre popujve prehistorikë. “Prodhimi i birrës ishte një pjesë përbërëse e ritualeve dhe e festave” përfundon Jiajing Wang, bashkëpuntor i këtij studimi, “një mekanizëm social i lidhur me proceset rregulluese brenda qytetërimeve hierarkike“.
Komente Së Fundi