Zogjtë e kompanisë FESTO
Zogjtë robotë kompania gjermane i ka quajtur BionicSwift. Ata janë, sipas shpjegimeve , shumë të lehtë e janë të paisur me pendë artificiale që i ndihmojnë si në fluturim ashtu dhe në ulje. Fluturojnë në mënyrë autonome e të koordinuar në një hapësirë ajrore të përcaktuar.
Orientimi i tyre bëhet nëpërmjet bashkëveprimit me një GPS të brendshëm radio. Zogjtë nisin një sinjal radio në mënyrë që pozicioni i tyre i saktë të mund të njihet nga një komputer i cili funksionon si sistem fluturimi që përcakton rrugën e fluturimit të paraprogramuar. Kjo bën të mundur një fluturim të saktë dhe nuk lejon që zogjtë të përplasen gjatë fluturimit.
Gjatë projektimit të tyre i është dhënë prioritet strukturave shumë të lehta duke i qëndruar besnik modelit biologjik. “Puplat” janë realizuar me anë të një shkume që është jo vetëm e lehtë por edhe shumë e qëndrueshme dhe elastike.
Zogjtë robotë me “pupla” kanë një hapësirë të krahëve 68 cm, gjatësinë e trupit 44,5 cm dhe një peshë vetëm 42 gramë.
Aplikimet e BionicSwift mund të jenë të shumta. Sipas kompanisë një nga përdorimet më të mundshme është që ata të transportojnë materiale brenda kapanoneve të mëdha. Kështu mund të shfrytëzohen në mënyrë optimale hapësirat.
Komente Së Fundi