Fakte të reja për historinë e Tiranës
Themelimi i Tiranës i atribuohet Sulejman Bargjinit më 1614. Ai rindërtoi pjesë të qytetit duke i dhënë një ngjyrim oriental.
Por deri atëherë çfarë ishte Tirana?
Dëshmitë janë të pakta. Për herë të parë emri përmendet në një dokument të Venedikut më 1418 e në shekullin e 15 nga Marin Barleti.
A janë vallë dëshmitë e vetme?
Duket se jo.
Shikoni se në çfarë jam ndeshur në internet. Ajo që shikoni në kopertinën e këtij artikulli është një foto e një faqe libri të vitit 1597, pikërisht tek faqja 294. Ky libër titullohet : Compendio historico delle guerre ultimamente succese fra Christiani&Turchi, & Turchi &Persiani, (Përmbledhje historike e luftërave të zhvilluara së fundmi midis të Krishterëve&Turqve, & Turqve&Persianëve). Është i shkruar nga Cesare Campana.
Nuk dihet nëse autori është bazuar tek vepra e Marin Barletit apo në burime të tjera. Libri është i dixhitalizuar nga Google dhe çdokush mund ta shkarkojë nëse është kurioz.
Libri gjendet te ky link.
Në faqen 272 të këtij libri tregohet për epopenë e Skënderbeut dhe për rrethimin e Shkodrës.
Siç thamë më parë në faqen 294, përmendet emri “Tiranna“. Është i shkruar me dy “n“, dhe shoqërohet nga krahasimi “minore“, “e vogël“.
Ngjarja është kjo: Skënderbeu thyen në betejë Ballaban Pashën. Ndërkohë, motra e tij Mamica, e lajmëron se një ushtri turke nën drejtimin e një ushtaraku që nuk i tregohen gradët, me emrin Jakup, kishte hyrë në Shqipëri duke shkatërruar, dhe ishte vendosur në “Tiranën e vogël“.
Pse, kishte dhe një Tiranë të madhe?
Edhe në faqen 296 përmendet përsëri por në një kontest tjetër.
Rrethimi i dytë i Krujës. Sulltani pasi e pa që nuk e merrte dot Krujën, kthehet dhe e lë ushtrinë nën komandën e Ballaban Pashës.
Ky i fundit vritet nga një shigjetë. Të ngelur pa komandant, ushtria turke merr arratinë, e grumbullohet “nella campagna detta Tiranna“, “në fushën të quajtur Tiranë“, siç shihet në foton ngjitur.
Më pas tregimi vazhdon me dy ushtarakë të lartë që do t’i kërkojnë Skënderbeut tu falë jetën e ti lejë të kthehen në Turqi.
Pra, kemi një vend të quajtur “Tiranna“, dhe një fushë që i përkiste atij vendi.
Por, a ishte një qytet apo jo?
Po sjell këtu regjistrimin e parë të epokës otomane i bërë gjatë viteteve 1431-1432. Tirana në atë periudhë kishte 2028 shtëpi dhe 7300 banorë. Nuk janë numra që mund të anashkalohen. Të bëjmë krahasimin me regjistrimin e vitit 1910. Popullsia ishte rreth 12.000 banorë. Pra, në gati 500 vjet qyteti ishte shtuar vetëm me 5.000 banorë.
Kemi një vend që quhet “Tiranna” dhe një fushë të madhe me po të njëjtin emër që i përket. Ajo që është më e rëndësishmja me një numër të madh shtëpish e banorësh, pra kemi të bëjmë me një qytet, edhe pse jo shumë të njohur.
Atribuimi i themelimit të Tiranës nga Sulejman Bargjini duket pra, pak i forcuar. Ai mund të ketë merita në rindërtimin e qytetit, por të themelosh një qytet do të thotë të hedhësh gurin e parë. E mund të themi me gojën plot se kryeqyteti ynë është shumë më i lashtë, siç tregojnë Mozaiku i Tiranës, rrënojat e kështjellës së Justinianit, vepra e Marin Barletit apo dhe ky libër i sapopërmendur.
Përse kemi kaq pak dëshmi nga e kaluara?
Përgjatë historisë së tij qyteti është rrënuar dhe rindërtuar disa herë për shkak të konflikteve të ndryshme.
Vetëm gjatë vitit 1817 Tirana përjetoi një rrethim pesëmujor, i cili pati pasoja të rënda jo vetëm për kalanë por edhe për gjithë qytetin. Pas bombardimit ai u rindërtua pjesërisht nga Familja e madhe Toptanase, por nuk pati jetë të gjatë. Në vitin 1832, me urdhër të Vezirit të madh Mehmet Reshit Pasha, u prishën të gjitha kalatë.
Ndoshta themelimi i kryeqytetit tonë është akoma një mister. Vetëm një gjë nuk është një mister, dera e “tironasve” ka qenë e do të mbetet e hapur për të gjithë Shqipërinë.
Komente Së Fundi