Shqiptari nga Korça që sundoi Egjyptin
Mehmet Ali, lindi më 1769 në Kavalla nga një familje shqiptare me origjinë nga Korça. Ishte djali i dytë i një tregtari duhani. Kur i vdiq i ati në moshë të re, Mehmetin e mori xhaxhai i tij, që e drejtoi në karrierën ushtarake.
Pas gradës “Boluk-bashi“, ai mori gradën e Komandantit të Dytë dhe ishte nën komandën e kushëririt Halil Aga në kontigjentin e shqiptarëve të Kavalës.
Emërimi Guvernator
Më 1798 Napoleoni pasi shkatërroi ushtrinë otomane në Betejën e Piramidave, pushtoi Egjyptin. Ai largua shpejt drejt betejave të tjera, e la aty një pjesë të ushtrisë. Sulltani organizoi një ushtri për ta rimarrë atë. Pjesë e kësaj ushtrie ishte dhe kontigjenti shqiptar i Kavallës. Përçarjet politike dhe etnike të otomanëve nuk çuan në rezultate konkrete kundër francezëve.
Duke përfituar nga gjendja kaotike, Mehmet Aliu ndërhyn për të marrë kontrollin. Ai bëri marrëveshje me çifligarët, klerin musliman dhe tregtarët e pasur të Kairos. Eliminon ose dëbon tre governatorë të dërguar nga Sulltani.
Sulltani pa që nuk kishte rrugëdalje dhe u detyrua të emërojë Mehmet Aliun Guvernator të Egjyptit më 1805.
Vitet e para të qeverisjes i kaloi duke u përpjekur të normalizonte vendin. Pasi çifligarët (Mamlukët) i bëjnë disa atentate, ai eliminon pjesën më të madhe në episodin e famshëm të Masakrës së Mamlukëve.
I pakënaqur me modelin e vjetëruar të ushtrisë otomane, ai vendos ta modernizojë atë. Merr në shërbim të tij një kolonel francez që të organizojë ushtrinë e tij me stilin e luftës së Napoleonit. Dhe ja arrin qëllimit. Vendos shërbimin e detyruar ushtarak, e formon ushtrinë e tij. I quan trupat e tij Nizam Jadid. Me këto trupa ai vendos rendin në të gjithë Egjyptin duke shtypur disa revolta.
Rebelimi ndaj Sulltanit
Nuk mjaftohet me kaq. Ai pushton Sirinë dhe i drejtohet Stambollit për të rrëzuar dinastinë otomane e të merte kontrollin e vetë perandorisë. Vetëm ndërhyrja e ushtrisë ruse, që i vjen në ndihmë Sulltan Mahmudit II, e bëri të ndalet e të nënshkruajë paqen, e njohur si Paqja e Kütahya.
Modernizimi i Egjyptit
Përveç forcimit të ushtrisë, Mehmet Aliu iu kushtua dhe modernizimit të Egjyptit. Ndërtoi spitale e shkolla, kanale dhe rrugë. Në mënyrë të veçantë ai i dha prioritet kultivimit të Pambukut, duke parë që industria britanike e tekstileve kishte nevojë dhe e paguante mirë. Zhvilloi industrinë e prodhimit të uniformave dhe municioneve. Ndërtoi dhe një fonderi për kantieret detare të Alesandrisë, edhe pse drurët për ndërtimin e anijeve e importonte.
Rebelimi i dytë ndaj Sulltanit
Më 1839 ai rebelohet edhe një herë kundër Sulltan Mahmudit II. Në betejën e Nipizit djali i tij Ibrahim Pasha thyen keq ushtrinë e sulltanit dhe i drejtohet sërish Stambollit. Sulltan Mahmudi II vdes sa filloi beteja dhe drejtimin e mer djali i tij gjashtëmbëdhjetë vjeçar Abdyl Mejid I.
Por edhe një herë ndërhyrjet e huaja, kësaj rradhe të Britanisë, bëjnë që rrjedha e historisë të ndryshojë. Trupat e Ibrahim Pashës thyhen në Beirut. Më 1841 nënshkruhet një traktat paqeje ndërmjet Sulltanit dhe Mehmet Aliut.
Kjo paqe e detyroi atë të heqë dorë nga flota ushtarake detare dhe të reduktonte ushtrinë e tij në 18.000 vetë. Megjithatë ai arriti t’i siguronte familjes së tij të drejtën e trashëgimisë në Egjypt.
Vitet e fundit
Mehmet Aliu qëndroi në fuqi deri në vitin 1848, kur vendin e tij e mori i biri Ibrahim Pasha. ky i fundit vdiq nga sëmundja vetëm disa muaj më pas. Ai u kthye në pushtet përsëri deri sa nipi i tij Abaz Hilmi të merte udhëheqjen e Shtetit të Egjyptit. Mehmet Aliu vdiq në gusht të viti 1849. U varros në xhaminë e Kairos nga ai e ndërtuar.
Gjenerata e nipërve të tij udhëhoqi Egjyptin deri në vitin 1956.
Shkruajtur nga Arian Lala
Komente Së Fundi