Nga profesor Zef Giuseppe Chiaramonte

Në krishtërimin mesjetar, në nivel zyrtar popullsitë nuk njiheshin si etni, por sipas përkatësisë fetare. Këtu lind edhe dallimi midis grekëve e latinëve. Tjetër dallim: orientalë dhe perëndimor e në fund, ortodoks dhe katolik.
Perandoria Romane e Orientit dhe më pas Perandoria Osmane, edhe pse në fakt multietnike, konsideronin njerëzit (milliet) si latinë, romei/rum, musliman/muslim, hebrej.​

Nëse të pëlqen historia jonë kliko këtu

Termi albanòi, që zëvendësoi atë ilir, takohet për herë të parë tek Ana Komnena. Ajo shpreh frakturën me grekët, me të cilët kishin mbajtur, në isopolitia, fatet e Perandorisë.

Midis fuqive që tashmë kishin filluar të shtrinin duart brenda Perandorisë së Orientit ishte Venecia. Një nga sundimet e saj ishte Peloponezi, ku grekofonë dhe albanofonë jetonin krah për krah e ku ndërthureshin të dy gjuhët. Megjithatë, shumë dokumenta vërtetojnë se Venecia preferonte shqiptarët më shumë se grekët, sepse i konsideronte më besnikë në mbrojtjen e territoreve (rif. koncepti i besës).

Edhe emri mesjetar Peloponez rrjedh nga shqipja man/mën, pra mora nga rrjedh Morea. Pas okupimit të Ballkanit, popullsia shqiptare e jugut (toskë) dhe e Moresë (arvanitasit), u larguan në masë drejt Mbretërisë së Jugut në Itali: Napoli dhe Siçili. Regjimi i atëhershëm i trajtonte të ardhurit si grekë, për faktin se nuk ishin latinë.

Kjo për shkak edhe të këtyre tre elementëve:

  • dallimi midis grekëve dhe latinëve ishte preekzistues (rif. Letrat e Gregorio Magno dhe ndarja etnike e Regnum Siciliae normane)
  • feudalët, ku u pritën të ardhurit i përkisnin, në pjesën më të madhe, kishës. Për këtë arsye privilegjuan dallimin fetar. I quajtën grekë
  • të ardhurit kishin një ritual liturgjik tjetër, dhe gjuha e përdorur në të ishte greke

Shkrimtarët historikë siçilianë, nga Fasello e më pas, dhe dokumentat notarile, në të kundërt flasin për graeci seu albanenses. Kjo terminologji shfaq, nga një anë dallimin zyrtar nga ana e kishës, nga ana tjetër, autondërgjegjësimin identitar të refugjatëve si Arbër.

Në nivel popullor, emërtimet ishin të ndryshme: testa di grecu, që të kujton shumë caveza d’arnaut, e përdorur nga hebrejtë e Spanjës për shqiptarët, për të treguar kokëfortësinë, apo këmbënguljen për të ruajtur gjuhën apo zakonet: jartù, që do të thotë, eja këtu, e transformuar në eja rtu= eja këtu.

“La Piana” e Arbëreshëve

La Piana fillon nga banesat e para të Piana degli Albanesi dhe shtrihet deri në Merrughat, në territorin e S. Cristina Gela, në kufi me Marineo. Është e përmbledhur midis Kazaghot, Malet Kumeta (shqip Kumajt), Maganoce, Leardo dhe Rosella/Turdiepi, në jug-lindje. Nga lartësirat e Mëndra e Muzakjës, Costa Marcione, Firrjati, Baghatelet, Guri i Korvit e Sëndahstia, në lindje.

Nuk e dimë si ishte ndarë ky territor në periudhën bizantine, ndërsa nga dokumentet normane ai rezulton i ndarë midis qytetit të Palermos dhe qytetit Jato. Përfshirë dhe rrethinat e komunës së Belice Destro.
Pjesa që i përkiste Palermos i jepet Arqipeshkëpit të Palermos më 12 shkurt 1095 nga ana e Gran Conte Ruggero. Këtu kemi emrin e parë Piana dell’Arcivescovo.
Më 1182, mbreti Guglielmo II, il Buono, i jep pjesën e Jatos, Dioqezës së Monreale. Edhe kjo pjesë merr emrin Piana dell’Arcivescovo.

Me vendosjen e Arbëreshëve në pjesën malore, përqëndrimi i shtëpive u quajt nga administrata e kishës Casale dei Greci. Ndërsa arbëreshët e quajtën Kazallot/Kazallonë. Duke u spostuar banesat për në jug, gati në fushë, fillohet të flitet për Casale de la Piana.

Pas përfundimit të administrimit feudal dhe me lindjen e Comuni di Sicilia (1 janar 1818), administrata borbone i kërkoi feudalëveemrin dhe stemën për ti vënë çdo komune. Për konsiderimet e mësipërme Arqipeshkopi-baron i sugjeroi emrin Piana dei Greci.
Kjo u bë emri zyrtar për komunën e re. Piana dei Greci u shkruajt në stemën komunale, ndërsa shqiponja me dy kokë që shohim në qendër rrethohet nga shkrimi Nobilis Planae Albanensis Civitas.

Kjo kontradiktë u ka shpëtuar shumë studiuesve, duke i lënë hapësirë rindërtimeve dhe shpjegimeve, shumë herë tendecioze, si në Itali dhe jashtë (Greqi).

Por këtu nuk mund të flasim për kontradiktë, por për një ridutio ad unum të dy pikëvështrimeve të ndryshme. Arqipeshkopi arsyeton akoma me terma zyrtare të Krishtërimit për etninë. Nga ana tjetër, shkrimet S.P.Q.A. (SENATUS POPULUSQUAE ALNANSIS) dhe N.P.A.C. (NABILIS PLANAE ALBANENSIS CIVITAS) i gjejmë të gdhendura në veprat arkitektonike shumë kohë më përpara.

Konfuzioni midis riteve greke – që sot quhen bizantine- dhe greqizimi etnik hidhet poshtë, siç duhet të hidhet poshtë ekuivalenca ortodoks=grek dhe bizantin=grek.

Termi bizantin, i përdorur për herë të parë nga gjysma e viteve Shtatëqind për të treguar një fazë të gjuhës greke, na ndihmon që të shikojmë Arbëreshët si Shqiptarët e lashtë të Italisë, dhe Kishën e tyre si bizantino-arbëreshe (jo më si bizantino-greke apo greko-bizantine). Kështu e njeh, zyrtarisht edhe Annuario Pontificio (organizmi zyrtar i Selisë së Shenjtë).

Marrë nga HORA e Arbëreshëve