Advertisement

Njeriu me Tre këmbë

     Francesco Lentini, lindi në Rosolino (Siçili) më 18 Maj 1889. Ishte i pesti në dymbëdhjetë fëmijë. Ai lindi me tre këmbë, plus një shputë këmbe që i dilte nga pas gjurit të djathtë. Numëronte gjithsej gjashtëmbëdhjetë gishta dhe dy organe gjenitale funksionale.​
Kliko këtu për ditur më shumë për njerëz me jetë të jashtëzakonshme
Fëmijëria
Në moshën 4 vjeç bëri vizitat e para tek mjeku spacialist në Napoli. Filloi të dilte nga shtëpia në moshën pesë vjeçare. Sipas mjekëve që e morën në ngarkim, këto karakteristika që i dilnin nga ana e djathtë e trupit ishin pjesë e një binjaku siamez.Mjekët e kohës arritën në këtë përfundim: mëqenëse binjaku i tij ishte lidhur me të në shtyllën kurrizore, heqja e tij mund t’i shkaktonte një paralizë. Kështu që nuk u bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale.Nëna e tij i qepte pantallona të veçanta dhe i porosiste tek këpucari tre këpucë. Të gjithë ishin kureshtarë ta shikonin, kështu ai filloi të shëtiste në shumë qytete.
Fama
Viti 1897 e gjen  në Londër. Një vit më vonë bashkë me prindërit lë Anglinë dhe transferohet në Middletown (Connecticut, USA). Aty punon si artist në cirkun Ringlin Bros. Më 1906 debuton me cirkun Barnum në Madison Squere Garden të New York. Në amerikë ai pati një sukses të jashtëzakonshëm. Bëri disa herë xhiron e Shteteve të Bashkuara si dhe të Europës.
Njeriu dhe artisti
    Lentini kompletoi ciklin shkollor e mësoi të fliste katër gjuhë. Këmba e tretë, edhe pse më pak e zhvilluar dhe disa centimetra më e shkurtër, ishe funksionale dhe artisti e kontrollonte me mjeshtëri. Edhe këmbët parësore ishin të gjatësive të ndryshme. Megjithëse ai tërhiqte spektatorët falë kushteve fizike, ai i magjepste ata me një sens të hollë humorizmi.Me kalimin e viteve, shfaqjet artistike të Lentinit u fokusuan më shumë tek cilësia e personazhit sesa tek kurioziteti mbi këmbën e tij të tepërt.Më 1907 u martua me Thereza S.Murraz, një aktore tre vjet më e re se ai. Ajo i dhuroi katër fëmijë pa asnjë difekt: Josephine, Natale, Frank, e James. Në moshën 30 vjeçare ai mori nënshtetësinë amerikane.
    Rreth viteve 1935, filloi të bashkëjetonte me Helen Shupe. Pyetjes se përse kishte lindur kështu, përgjigjej: “…nëna ime nuk lindi dy fëmijë. Më shumë se një, po jo dy”.Një foto e Lentinit u përdor në vitin 1995 nga grupi Alice in Chains si kopertina e pasme e albumit me të njëjtin titull.Vdiq në Jackson (Tennessee, USA), më 21 Shtator 1966, në moshën 77 vjeçare, ndërsa ishte në një turne.
Marrë nga www.franklentini.it
 

Read More

Kur u shpik Telekomanda?

Shumë prej atyre që para viteve ’90 ishin fëmijë, u ka rastisur që prindërit t’u thonin “çohu e ndërroje pak kanalin e televizorit”. Dhe ne u çonim, jo me shumë qejf, duke shtypur butonat e televizorëve bardhë e zi të tipit Lura etj.. Ishim telekomanda e atyre viteve. Pas viteve ’90 blemë televizorët me ngjyra të pajisur me telekomandën përkatëse.

Por, kur u shpik telekomanda?   Nga kush?
←Kliko këtu në krah për të parë se si ka ndryshuar telekomanda në vite

Një pjesë e madhe e njerëzve mendojnë se telekomanda është një shpikje e viteve ’80 apo ’90. Mirëpo nuk është kështu. Ajo e ka zanafillën shumë më herët.
Historia e telekomandës së televizorit fillon rreth viteve ’50. Telekomanda e parë ishte me fije që e lidhnin me aparatin e televizorit. Kjo teknologji ishte e zhvilluar nga kompania amerikane Zenith Radio Corporation. Po e njëjta kompani, rreth viteve 1955 zhvilloi Flashmatic, një telekomandë pa fije që funksiononte në këtë mënyrë: aparati i telekomandës lëshonte një rreze drite e cila kapej nga fotocelula e televizorit. Por kjo teknologji kishte një të metë jo të vogël: rrezja direkte e diellit mund të aktivizonte fotocelulën e të ndryshonte kanalet e televizorit apo të lëvizte volumin papritur.
Telekomanda me Ultratinguj 
Në vitin 1955 u bë një hap shumë i rëndësishëm. Robert Adler, një inxhenier po i kompanisë Zenith, realizoi një telekomandë që punonte me ultratinguj. Ky aparat ishte në gjendje të rregullonte volumin e zërit dhe të ndërronte kanalet e televizorit. Quhej Zenith Space Command.
Ky aparat funksiononte në mënyrë sa të thjeshtë aq dhe gjeniale. Kur shtypej butoni, një çekiç i vogël godiste mbi një shufër alumini. Në këtë mënyrë prodhohej një tingull me frekuencë të lartë që kapej nga valvolat marrëse të televizorit. Kjo shpikje rezultoi shumë e dobishme. Duke u nisur nga viti 1958, kur u nis shitja në shkallë të gjërë, konsumatorët blenë mbi 30 mijë televizorë të rinj. E nuk u preokupuan aspak që çmimi i televizorëve, për shkak të telekomandës, ishte rritur me  mbi 30 për qind.
Robert Adler dhe menaxheri i Zenith që punonte me të, morën disa çmime të rëndësishme në lidhje me këtë shpikje. Telekomandat e para kishin vetëm dy, tre, apo katër butona me funksione të thjeshta: ndezjen apo fikjen e televizorit, kalimin nga një kanal në tjetrin dhe rregullimin e volumit. Telekomandat me ultratinguj u përdorën për më shumë se 25 vjet.
Më pas ato u zëvendësuan nga telekomandat me infra të kuqe, që përdorim edhe sot, në gjendje t’i transmetojnë televizorit funksione më të ndërlikuara.
 

Read More

Kutia e zezë e Tokës

    Në perëndim të shtetit australian të Tazmanisë, në një pllajë graniti të rrethuar me male, gjëndet një kuti gjigande çeliku, që të kujton monolitin e zi tek filmi i Stanley Kubrick: “2001: Odisea në hapësirë”. Është, “Earth Black Box“, kutia e zezë e Tokës, si ajo që përdoret tek avionët për të përcaktuar shkaqet e incidenteve.
Çfarë është dhe si funksionon?
    Projekti Earth’s Black Box, është një ide e Clemenger BBDO, kompania më e madhe e komunikacioneve australiane. Një projekt NO profit, dhe është mundësuar për të sensibilizuar njerëzit mbi temën e krizës klimatike. Jim Curtis, drejtori ekzekutiv i kompanisë, ka deklaruar se kjo nismë ka patur një jehonë të madhe për vetë faktin se i ka bërë njerëzit t’i bëjnë pyetjen vetes: “Përse Toka ka nevojë për një kuti të zezë?”.     Mbështetja që i ka dhënë Universiteti i Tazmanisë i ka dhënë këtij projekti një vlerë shkencore. Kutia e zezë e Tokës, funksionon si aparati që i ka dhënë emrin: regjistron një numër shumë të madh të dhënash, që ngelen të padëmtuara në rast katastrofe.
Cilat janë përmasat e saj?
    Kutia është prej çeliku. Përmasat e saj janë 10 metra x 4 x 3 metra. Panelet janë të trasha 7,5 centimetra. Ajo është në ndërtim e sipër e parashikohet të jetë gati në fund të këtij viti. Megjithatë ajo ka regjistruar rezultatet dhe studimet e paraqitura në mbledhjen mbi klimën COP26 të mbajtur në nëntor të vitit 2021 në Glasgow, Skoci.    Panelet diellore dhe bateritë ndihmëse e lejojnë të regjistrojë nëpërmjet një algoritmi të posaçëm, informacionet më të rëndësishme. Fillimisht do të regjistrohen dy lloj të dhënash. Nga një anë matjet e temperaturës së Tokës dhe deteve, acidifikimin e oqeaneve, ndotjen atmosferike, zhdukjen e florës dhe faunës etj…   Por edhe të dhënat e faktorit human: numri i popullsisë, shpenzimet ushtarake, konsumi energjetik etj… Do të ruhen artikuj të rëndësishëm gazetarie, postime nga rrjetet sociale dhe të dhëna nga mitingje të rëndësishme që i përkasin ndryshimeve klimaterike.
Sa mund të rezistojë?
    Sistemi do të ruajë këto të dhëna për qindra e ndoshta për mijëra vjet. Disa studiues po bëjnë pyetjen se si qytetërimet e ardhshme do t’i deshifrojnë e do të shfrytëzojnë të dhënat që përmban kutia e zezë e Tokës. Po zhvillohen disa teknologji për ta zgjidhur këtë problem. U përzgjodh pikërisht ky vend për të vendosur këtë kuti sepse ka stabilitet gjeologjik. 
 

Read More

Profecia mbi fundosjen e Titanikut

Katërmbëdhjetë vjet para tragjedisë së Titanikut, që ndodhi në prill të 1912, doli nga shtypi një novelë e shkrimtarit amerikan Morgan Robertson me titull Futility.
Për të shuar kuriozitetin tuaj mbi Titanikun mund të klikoni këtu
 
Një transatlantik i quajtur Titan (!), fundoset në ujërat e Atlantikut pasi përplaset me një ajsberg… Duke parë që libri është i vitit 1989, përputhjet janë sa të çuditshme aq edhe të frikshme me historinë e fundosjes së Titanikut të vërtetë.
Sa gjëra të përbashkëta

të dy anijet kishin tre elika
kishin përmasa të ngjashme  (244 metra gjatësi për Titan, 269 për Titanikun)
të dy anijet u nisën në prill
udhëtonin me një shpejtësi të ngjashme (25 nyje Titan, 22 nyje e gjysëm Titaniku)
të dy anijet lidhnin Britaninë e Madhe me New York-un
të dy anijet godasin një ajsberg në të njëjtën anë
të dy anijet nuk kishin varka shpëtimi të mjaftueshme për të gjithë pasagjerët
të dy anijet u fundosën rreth 400 milje nga Terranova
të dy anijet sollën vdekjen e mijëra personave
emri ishte shumë i ngjashëm (Titan-Titanik)

Pas fundosjes së Titanikut
    Novela u ribotua pas tragjedisë së Titanikut më 1912. Robertson në versionin e ri, i bëri disa ndryshime karakteristikave të Titan për ta bërë sa më të ngjashëm me Titanikun: rriti peshën nga 45 000 tonelata në 70 000 tonelata. Po ashtu dhe fuqinë motorrike, nga 40 000 në 75 000 kuaj fuqi. I ndryshoi madje edhe titullin nga Futility në Futitlity, or The Wreck of the Titan. 
Çfarë historie trajton novela?
    John Rowland është një ish ushtarak i Marinës amerikane, i alkolizuar dhe i varfër, gjen punë si marinar tek Titan. Në një natë prilli anija godet një ajsberg dhe fundoset. Ai hipën mbi ajsberg sëbashku me një vajzë, e pasi lufton me një ari polar e pas shumë peripeci,  ai shpëtohet nga një anije kalimtare. Në vazhdim protagonisti e kalon varësinë nga alkoli dhe rifiton një pozitë shoqërore dinjitoze.

Read More

Kur Anglia përdorte “tollona”

    Do t’ju duket pak e çuditshme por një nga shtetet më të fuqishme të Evropës ka imponuar kufizime të tilla, duke racionuar pothuaj çdo gjë, nga ushqimet tek veshja. Jo për një vit apo dy, por për më dhumë se 14 vjet. Ky shtet është Anglia.
Kur filloi racionimi?
    Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, pasi ngriti në këmbë një ushtri të madhe për t’i bërë ballë luftës, Anglia më 8 Janar 1940 filloi racionimin e ushqimeve. Kjo u bë për faktin se e gjithë ekonomia punonte për të mbajtur në këmbë aparatin ushtarak.     Por edhe pasi lufta mbaroi Anglia pati shumë probleme për të zgjidhur. Ushtria akoma për t’u mbajtur, disa vite të vështira në bujqësi, bënë që të vonohej kthimi në normalitet.
    Ja një shembull i racioneve (të cilat ndryshuan në kohë) me ushqimin e disponueshëm për një të rritur në një javë:
ushqimi javor për një të rritur
    4 once bacon dhe proshutë                                                              1 once = 28,349523 g    2 once  gjalpë    2 once djathë    4 once margarinë    4 once dhjamë guzhine    3 pinte qumësht                                                                               1 pint = 568 ml    8 once sheqer    1 libbre marmelatë çdo dy muaj                                                      1 libbre = 453,59237 g    2 once çaj    1 vezë (po të kishte, jo gjithmonë)    1 kuti me vezë pluhur çdo muaj
    Çdo qytetar, përfshi dhe fëmijët, kishte librezë racionesh. Për veshjet mund të bëhej çdo vit një komplet i ri (përfshi këtu dhe këpucët). Qeveria u sygjeronte amvisave shumë receta të ndryshme se si mund të gatuanin me ato që kishin e si të rekuperonin ato që ngeleshin. Inkurajohej veçanërisht përdorimi i vezëve pluhur. BBC-ja ka shumë emisione të dedikuara pikërisht këtij argumenti, me shumë intervista të bëra amvisave që tregonin mënyrën se si i bënin ballë këtyre vështirësive.
Kur mbaroi racionimi?
    Racionimi u hoq në mënyrë progresive nga ushqimet e veshjet, e përfundimisht më datë 4 Korrik 1954. I fundit që u hoq nga racionimi ishte mishi.    Në ditën që u hoqën “tollonat” dhe u kthye normaliteti, u organizuan shumë festa ku u dogjën simbolikisht “librat” ku regjistroheshin racionet. 

Read More

Postime Së Fundi

Vizitat e faqes

018771
Shikimet sot :
Aktualisht Online : 0
Adresa jote IP : 89.58.2.135

Pin It on Pinterest

Shares
Share This