Neuroinxhenieria, një teknologji e re përkthen mendimet në fjalë

    Një sistem i ri, bazuar në inteligjencën artificiale, përkthen në fjalë me zë të lartë sinjalet cerebrale të prodhuara nga truri ndërsa mendojmë. Kjo mund t’i shërbejë pacientëve që nuk mund të flasin. Ky është një studim i neuroshkencëtarëve të Columbia University.

Të mund të flasësh pa folur, vetëm duke menduar.

    Nuk është një lojë fjalësh. Kjo paisje e re përdor një teknologji që transformon në gjuhë verbale sinjalet e prodhuara nga truri ndërsa mendon. Kështu mendimi përkthehet në fjalë. Një strument i dobishëm për ata që nuk mund të flasin, si për shembull pacientët që kanë patur iktus. Rezultatet e këtij studimi janë publikuar tek Scientific Reports.

    Nuk është hera e parë që neuroshkencëtarët drejtojnë vëmendjen e tyre tek sistemet e përkthimit të mendimeve në fjalë. Sot, algoritme të bazuar në inteligjencën artificiale, kanë lejuar të arrihen këto objektiva. Në këtë rast, studiuesit kanë dekodifikuar sinjalet cerebrale lidhur me fjalët, si të dëgjuara dhe të folura, për ti përkthyer në fjalë të thëna me zë të lartë.
    Bëhet fjalë për të njëjtën teknologji bazë të përdorur nga Siri i Apple apo Alexa i Amazon, shpjegon Nima Mesgarani, që ka koordinuar studimin. Idea në themel është një “decoder”, ose më mirë një “vocoder”, që transformon një mendim në fjalë. Zakonisht, një “vocoder“- një term që lind nga shkrirja e fjalëve “voice” (zë) e “decoder” (deshifrues)- është një paisje elektronike apo një program i aftë të dekodifikojë një sinjal tingëllues mbi bazën e disa parametrave të prefiksuar nëpërmjet një modeli matematik.

    Pas disa tentativave pa ndonjë rezultat të dukshëm, studiuesit kanë realizuar pikërisht këtë paisje, duke i mësuar “vocoder-it” të “interpretojë mendimet”. Kërkime të shumta kanë nxjerrë në pah se ndërsa personat flasin – apo vetëm imagjinojnë të flasin dhe ndërsa dëgjojnë – në tru aktivizohen shtigje specifike cerebrale, që mund të njihen nëse studiohet aktiviteti i trurit. Ky aktivitet korispondon me sinjalet e trurit që autorët donin të identifikonin.

    Ata kanë bazuar punën e tyre në përdorimin e “vocoder-it“, duke i mësuar sistemit të interpretojë paraqitjet cerebrale. Në këtë rast, i është kërkuar pacientëve me epilepsi, tashmë të operuar, të dëgjojnë fraza të folura me zë të lartë nga persona të ndryshëm, ndërsa studiuesit analizonin shtigjet cerebrale të aktivizuara. “Këto modele neurale kanë stërvitur vocoder-in“, shpjegon Mesgarani.

    Më tej pacientët dëgjonin zërat që shqiptonin shifrat nga 0 tek 9, ndërsa studiuesit regjistronin sinjalet cerebrale, që i nënshtroheshin vëmendjes së vocoder-it. Ky i fundit interpretonte sinjalet dhe prodhonte tingujt, që analizohen dhe pastrohen nga një sistem inteligjence artificiale. Në veçanti studiuesit kanë përdorur një rrjetë neurale artificiale, pra një model përllogaritës të përbërë nga neurone artificiale të frymëzuar nga rrjeti biologjik neural. Pas këtij operacioni, studiuesit kanë marrë si rezultat një zë metalik që recitonte sekuencën e numrave.

    “Kemi parë që personat mund të kuptonin dhe përsëritnin (pa folur, por me këtë sistem) 75% të rasteve“, nënvijëzon Mesgarani, “një rezultat që shkon përtej parashikimeve të bëra në fillim. Ndjeshmëria e vocoder-it, i bashkuar me fuqinë e rrjetit neural ka riprodhuar tingujt e dëgjuar paraprakisht nga pacientët me një saktësi të habitshme”.

    Si hap i parë, shpjegojnë autorët, do të provojmë të përkthejmë mendimet e lidhura me fraza më të komplikuara. Të provojmë paisjen tek sinjalet cerebrale të prodhuara nga persona që jo vetëm janë duke dëgjuar, por edhe ndërsa flasin apo mendojnë të flasin. Objektivi i fundit është të zhvillojmë një paisje që pacientët mund ta mbajnë në kokë për të folur me anë të mendimit.